Aleanca për Shqiptarët mbështet grevën e mësimdhënësve në Maqedoni

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka dalë në mbështetje të grevës së mësimdhënësve, e cila është paralajmëruar prej nesër. Nga ASH thonë se ministri i Shkencës dhe Arsimit Jeton Shaqiri, i kërcënoi mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollëve.

“Aleanca për Shqiptarët kujton opinionin se për këtë situatë ka paralajmëruar dhe reaguar dy vite më parë, duke kërkuar që të ndryshojë ligji diktatorial i cili ua mohon mësimdhënësve të drejtën e grevës dhe i kërcënon ata me zëvendësim nëse hyjnë në grevë. Gjatë debatit për ligjin për arsim fillor dhe atë për arsim të mesëm, më 21 shtator 2020, deputetja Ilire Dauti, nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që të ndryshon neni i cili parasheh zëvendësimin e mësimdhënësve në rast të grevës. Kjo thirrje u injorua nga deputetët e shumicës dhe ministri për arsim dhe shkencë sot duke u thirrur pikërisht në këtë dispozitë ligjore kërcënon mësimdhënësit dhe pengon të drejtën e tyre për grevë”.

“Aleanca për Shqiptarët si atëherë edhe sot është në mbështetje të mësimdhënësve, të drejtës së tyre për kushte dinjitoze për punë dhe të drejtës së tyre sindikale për të shprehur revoltën derisa të përmbushen kushtet. Njëkohësisht insistojmë që të bëhen edhe ndryshimet e ligjit i cili diskriminon dhe robëron edhe mësimdhënësit edhe vetë nxënësit”, thonë nga ASH.