Aleanca për Shqiptarët kërkon arrestimin e Zhan Mitrevit për rastin “Gjaku i pistë” (VIDEO)

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar në lidhje me rastin “Gjaku i pistë” i publikuar ditë më parë nga IRL. Ata thonë se kur të gjithë kanë pritur reagime të shpejta dhe zbardhjen e dyshimeve, ka ndodhur si në rastet tjera, heshtje nga binomi LSDM-BDI dhe satelitët e tyre.

“Kjo na jep të drejtë të konstatojmë se edhe ky skandal do përjetoj fatin e skandalit të spitalit modular në Tetovë, skandalit të vaksinave, skandalit rreth tragjedive me autobusët në Bullgari dhe Llaskarcë e shumë e shumë të tjera. Më demoralizuese ishin qëndrimet anemike dhe konfuze të ministrit të shëndetësisë në presin e fundit, që habiti dhe tronditi punëtorët shëndetësor, pacientët e mbijetuar dhe familjarët e tyre me tentim për relativizimin e përgjegjësisë të personave të denoncuar”, thonë nga ASH.

Ata pyesin Prokurorinë Publike se sa do të pritet për procedimin dhe zbardhjen e këtij skandali, ndërsa Qeverinë Zaev 1 dhe 2 se në bazë të cilave parametra është dhënë leje që Maqedonia e Veriut të jetë në grupin e 10 shteteve ku Covidi të trajtohet edhe nëpër spitale private duke e ditur fuqinë financiare të popullatës?

“Ish ministrin Filipçe dhe zëvendësin e tij Hasani, që në emrin e LSDM-së dhe BDI-së të prononcohen dhe të përgjigjen, kush e dha lejen për aplikimin e hemofiltracionit si metod për trajtim të Covid-it e pse nuk u aplikua në spitalet publike, kush e përcaktoi çmimin astronomik të kësaj metode?”, pyesin nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët propozon:
Në parlamentin e Maqedonisë së Veriut të përpilohet dhe të votohet ligj për profiterët nga fatkeqësitë e ndryshme,
Pasi formohen komisione, atëherë në to të marrin pjesë specialistë të fushave dhe në afat sa më të shpejtë kohor të përgatitet raport rreth trajtimit me këtë metodë,

Të gjithë të involvuarit të dalin para opinionit dhe të përgjigjen në të gjitha pyetjet dhe dilemat para atyre që i kanë votuar dhe finansuar, qytetarët dhe të njëjtit të paraburgosen që mos arratisen dhe të ndikojnë mbi dëshmitarët,

Ministria e shëndetësisë të sigurojë mjete që të njëjtat t’ju kthehen familjarëve të dëmtuar në kët skandal të paparë dhe
Prokuroria publike të veprojë ne bazë të faktetve dhe denoncimeve dhe të mos lejohet që edhe ky skandal të përjetoj fatin e skandaleve tjera se me “Gjak të pistë” kurrë nuk do realizojmë integrimet tona në botën normale.