Albin Kurti tregon kur do të hiqet taksa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar marrëveshjen për krijimin e linjës ajrore Beograd-Prishtinë, dhe ka treguar se kur do të hiqet taksa, në mënyrë që të hapet rruga për vënien e reciprocitetit me Serbinë. Albin Kurti ka thënë se vënia e reciprocitetit ka kaluar si Rezolutë në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011. “Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

Ai tregon se a do të heqë së pari taksën, apo do të presë kur do të vihet në funksion të plotë reciprociteti. “Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprocitetin”, thotë kryeministri Kurti. “Do të dëshironim sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo unë sot mezi kam arritur që ta përfundoj në ditën e tretë të punës vizitën e stafit në ndërtesën e kryeministrisë, ka shumë zyre e shumë dyer këtu dhe këtë javë kisha një mbledhje ceremoniale solemne, do të vazhdoj me mbledhjen e radhës e kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, programin qeverisës, e kemi planin e punës së qeverisë, e kemi shqyrtimin e një mori të vendimeve pas dorëheqjes së ish kryeministrit në korrik të vitit të shkuar. Natyrisht që kjo është ndër prioritetet tona mirëpo, ne ende nuk jemi vendosur në qeveri tamam dhe do të na nevojitet ca kohë, do të përpiqemi më shpejt mirëpo jo gjithçka varet tash prej nesh”.