Albin Kurti: Pse Serbisë i duhet një Charles de Gaulle për ta “hequr qafe” Kosovën


Albin Kurti, udhëheqës i Vetëvendosjes, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, tha se ai ishte i gatshëm për një dialog me Serbinë, por jo me këtë aktualen sipas qasjes që ka. Në një intervistë për Euronews të Brukselit, ai tha se Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj. “Eshtë e rëndësishme që të ketë një ndryshim në Serbi për sa i përket mënyrës se si ata e shikojnë Kosovën,” tha Kurti.

“Ne e çliruam Kosovën nga Serbia” I pyetur nëse ai ende dëshiron një falje, njohje dhe kompensim të plotë nga Serbia, Kurti tha se është e nevojshme që Serbia të distancohet nga Rusia dhe Kina sa më shpejt të jetë e mundur. “Unë mendoj se duhet të largohet nga Federata Ruse dhe Kina dhe të përpiqet ta bëjë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Kosova duhet të çlirohet. Ne e çliruam Kosovën nga Serbia. Unë mendoj se Serbia duhet të heqë qafe Kosovën,” tha Kurti.

I pyetur se si të arrihet pajtimi ndërmjet serbëve nga Kosova dhe shqiptarët, Kurti tha se nuk ishte e nevojshme, sepse ata nuk luftuan me ta, por me Serbinë. “Në ktë kuptim, është e nevojshme që Serbia të përballet me të kaluarën e saj, të shikohet në pasqyrë dhe të mos e shikojë Kosovën me dylbi ushtarake. Dhe të njohim pavarësinë tone”, shtoi ai.

Nevoja e Serbisë për një Charles de Gaulle “Unë mendoj se Serbia ka nevojë për një Charles de Gaulle, i cili do të thotë, ashtu siç tha De Gaulle, se ‘Franca është e madhe pa Algjerinë’, se ‘Serbia është e madhe pa Kosovën’”, argumentoi ai. Kur bëhet fjalë për vaksinat, Kurti tha se nuk do të merrte vaksina nga Serbia, e cila i siguron ato nga Rusia dhe Kina dhe shtoi se, për sa i përket vlerave dhe interesave, “orientimi ynë” ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit.

Për sa i përket Shqipërisë, Kurti tha se nëse do të mbahej një referendum për bashkimin me Shqipërinë, ai do ta votonte atë. Siç shpjegoi ai, sipas Kushtetutës, Kosova nuk mund të bëhet pjesë e Shqipërisë, por ajo mund të bashkohet me një federatë me të. Duke folur për zgjedhjet e fundit, ai tha se nuk do të hynte në një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, as me Aleancën Demokratike të Kosovës, sepse këto janë parti që kanë udhëhequr vendin për 20 vitet e fundit dhe që duhet të reformohen. “Tani duam punë dhe drejtësi”

“Ne tani duam punë dhe drejtësi, që do të thotë se duam të ndalojmë migrimin e të rinjve përmes punësimit, ne duam të lu*ftojmë korrupsionin dhe t’i japim fund elementëve të kapjes së shtetit, të cilat u kryen kryesisht nga këto parti që humbën në zgjedhjet e së dielës,” tha Kurti . Ai tha se Bashkimi Evropian duhet të reformohet në tërësinë e tij, jo vetëm metodologjinë e zgjerimit. “Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE janë të rëndësishme për njëri-tjetrin,” përfundoi Kurti.