Alarmon i dërguari i ShBA-së në OSBE: Tupani i luftës po dëgjohet fort

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në OSBE ka thënë se Perëndimi duhet të përgatitet për mundësinë e eskalimit të tensioneve me Rusinë. Ai këtë deklaratë e dha pas bisedimeve me Moskën në Vjenë të enjten, duke paralajmëruar se “tupani i luftës po dëgjohet fort”.
Michael Carpenter, përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, në të cilën anëtare janë 57 shtete, tha: “Në kohën e tanishme, jemi duke u përballur me një krizë në sigurinë evropiane. Daullja e luftës po dëgjohet fort dhe retorika është bërë më e mprehtë.”
Carpenter tha se grumbullimi i 100.000 trupave, armatimit të avancuar, sistemeve artilerike, sistemeve elektronike të luftimit dhe municionit nga Rusia afër kufirit të saj me Ukrainën “shtron shumë pyetje për atë se cilat janë qëllimet e Rusisë”, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

“Duhet ta marrim këtë shumë seriozisht. Duhet të përgatitemi për mundësinë se mund të ketë një eskalim”, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni e parapëlqen rrugën e dialogut dhe shtensionimit.

Fuqitë perëndimore dhe Rusia këtë javë kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve diplomatike për uljen e tensioneve, kryesisht shkaku i Ukrainës, por edhe për arsye të tjera.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Gjenevë të Zvicrës. Të mërkurën, në Bruksel të Belgjikës u zhvilluan bisedime mes NATO-s dhe Rusisë. Të enjten, OSBE-ja zhvilloi bisedime me Rusinë në Vjenë të Austrisë.

Është thënë se në këto takime pati diskutime serioze, por edhe vazhdim të mospajtimeve. Rrjedhimisht, nuk është raportuar për ndonjë rezultat konkret ose ndonjë marrëveshje e rëndësishme pas bisedimeve.