Prej disa vitesh, Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrullshme urbane, gjë që është shoqëruar me një faturë jo të vogël në planin mjedisor.Statistikat e fundit nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja.
Sipas këtyre statistikave, shkalla e vdekshmërisë përsa i përket ndotjes së ajrit për 100 mijë banorë është 171.4, pra afërsisht 5,000 qytetarë shqiptarë në vit rrezikojnë vdekjen nga ky shkak. Ky Forum liston 10 vendet me risk më të lartë duke nisur nga vendi i dhjetë me Serbinë, e ndjekur më sipër nga Rumania, Ukraina, Sierra Leone, Kina, Shqipëria, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Koreja e Veriut dhe në vend të parë Gjeorgjia me 292.3 vdekje, raporton “Scan”. Në Shqipëri 44% e emetimeve të gazeve serrë vijnë nga sektori energjetik, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror.
Edhe pse kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2, këtyre të dhënave mund t’u gëzohemi për shumë pak kohë, nëse ne nuk kemi politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekspertët. Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion të AgroWeb.org, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri.