Alarmant numri i pacientëve të hospitalizuar!

Rreth 700 pacientë janë hospitalizuar në repartet infektive në shtet. Janë të gatshme edhe klinikat interne për pranim të pacientëve.

Me marrëveshje interne, një pjesë e mjekëve nga të gjitha klinikat interne do ta bëjnë punën e zakonshme në repartet e tyre interniste, ndërsa të tjerët janë kyçyr në punë dhe trajtim të pacientëve me kovid-19, informoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Lidhur me trajtimin e pacientëve në “8 Shtatori”, ai me përgjegjësi pohon se për ata që janë në respirator çdoherë janë të pranishëm ose konsultohen anesteziologë, të cilët janë ekspertë që mund të shtrojnë pacientë në makinë dhe t’i rregullojnë parametrat dhe se edhe para Kovid-19 kanë pasur përvoja të tilla. Por tani presioni është më i madh për një intervenim të tillë sepse kjo sëmundje, tha Filipçe, në formë më të rëndë i prek mushkëritë dhe është e nevojshme mbështetje mekanike.

Edhe në këtë spital, shtoi ministri, të gjithë mjekët janë të mobilizuar, por për veprimtari të tjera dhe që të mos krijohen lista të pritjes, specialistët (kirurgë, ortopedë, neurologë) punojnë në fushat e tyre dhe prandaj nuk janë, siç tha, tekstualisht të gjithë të angazhuar për trajtimin e pacientëve me kovid-19.

Ministri kumtoi se deri në fund të vitit pritet të vendosen dy deri në tre spitale montuese, por për shkak të bllokadës nga opozita, siç tha, është e mundur ato të mos arrijnë sipas planit fillestar – të vendosen 16 qendra për kovid në afërsi të spitaleve.

“Por, ne kemi bërë plan rezerv dhe pikërisht ai tani po aktivizohet. Ato janë këto kapacitete rezervë në Klinikat interne dhe kapacitetet tërësisht të gatshme shtesë në spitalin ‘8 Shtatori’. Kemi plan, menaxhohet edhe me kuadër, edhe me repartet tjera, prej ku një pjesë e programit po zvogëlohet”, tha ministri.

Ai pret që edhe masat, të cilat janë vendosur para dy javëve, pas 14 ditëve të japin rezultate dhe po ashtu pret që numri i të sapodiagnostikuarve të ulet.

Lidhur me testet, Filipçe tha se cilësia e tyre është e garanatuar.