Ka nxitur reagime postimi i fundit i kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla pasi kjo e fundit ka vendosur flamurin shqiptar në një shkrim në rrjetin social Facebook, ku reagoi pas thirrjeve të shumta për dorëheqjen e saj. Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kritikuar Gërvallën duke thënë se ka shkelur Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.
“Zonja kryediplomate a e ka shfletu ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës. Si përfaqësuese e shtetit nuk mundesh çështjet e aktivitetet e shtetit t’i ilustrosh me flamurin kombëtar i cili është shënjues i Republikës së Shqipërisë. Merr guxim ministre – vendose flamurin e Kosovës. Shumë punë ju pret duke nisë nga respektimi i simboleve të shtetit e tutje. Leni llafet…”, ka shkruar Hoxha.
Po ashtu ka reaguar edhe analisti Halil Matoshi duke thënë se askund në botë nuk ndodh që një zyrtar i shtetit të shfaqet në publik me simbolin kombëtar të një vendit tjetër. “Pse zyrtarët e shtetit fshiheni mas flamurit shqiptar? Kë e përfaqëson Ministrja jonë e jashtme në botë? Shqipninë apo Kosovën!? Shembull i thjeshtzuem: A bân vaki që nji ministre e Zvicrës gjermane me e shoqnu statusin e saj në Facebok me flamurin e Gjermanisë? Jo. Kurrë! Edhe zyrtarët e Qipros – shtetit të ndarë në dy entitete, në publik dhe në institucionet e BE-së e përdorin flamurin unik qipriot, kurse Kosova asht shtet unitar dhe zyrtarët shtetëror të saj përdorin flamurin zyrtar të Republikës së Shqipnisë!? Pse në anën tjetër aku*zohen serbët e Kosovës për mungesë lojaliteti ndaj kësaj Republike?”, ka shkrua Matoshi.
“Apo Kosova për beter t’dheut âsht shtet pa komb!? Kjo që ndodh në Kosovë âsht thjesht mungesë besnikrie dhe lojaliteti ndaj Republikës së Kosovës. Kjo nuk ndodh askund në botën e 192 kombeve, anëtarë të OKB-së. Shtetarët kosovarë, falë narrativës ideologjike-enveriste për historiografinë janë totalisht injorantë për idenë e shtetit kombëtar dhe përfaqësimit të unitariterit të tij. Amatera, pa kompas, pa qëllime e ideal shtetnor… Vërtet askund në botë zyrtari i nji shteti nuk shfaqet në publik me sumbolin kombëtar të nji shteti tjetër, pos në takime zyrtare, kur shfaqen flamujt e dyja shteteve!?”, përfundoi ai.