Aktivistja Elena Bogëjani përmes një interviste ka thënë se publikimi i videos së dhunës ndaj të moshuarës në Pejë është hakmarrje ndaj infermieres dhe nuk ka si qëllim të denoncojë dhunën.
Aktivistja u shpreh se se mënyra se si është publikuar videoja, duke iu dhënë një aktoreje e cila dihej që do ta publikonte, tregon se ka pasur diçka personale mes punonjëseve të azilit.
Publikimi i dhunës na vjen duke iu dërguar një aktoreje. Ka qenë e llogaritur se e kanë ditur që ajo do ta publikojë. Duket që është një hakmarrje ndaj kësaj infermiereje. Ndaj mendoj se edhe ajo që e ka dërguar videon, që mundohet të luajë rolin e shpëtimtares, është duke u hakmarrë. Është personale ndaj Auronës nuk është për të shpëtuar pleqtë dhe të ekspozojë dhunën”, tha ajo për EuroNews.
E moshuara dyshohet se dhunohej prej kohësh nga punonjëset e një qendre azili pleqsh në qytetin e Pejës në Kosovë, por rasti i rëndë u bë publik vetëm pas publikimit të videos në rrjetet sociale.
Në video shfaqet njëra prej punonjëseve që godet me shpulla të moshuarën, ndërsa koleget e saj qeshin në sfond.
Infermieret e ndaluara janë, Aurona Pelaj, autore e dhunës, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi që kanë filmuar episodin e tmerrshëm dhe nuk kanë ndërhyrë.
E moshuara është e ëma e Taulant Nurës, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës. Të afërmit e viktimës e kanë nxjerrë menjëherë nga azili privat, ku siç deklaruan paguanin 650 euro. Ata thanë se ajo nuk kishte treguar dhunën pasi vuante nga alzhaimeri.