Aktivë 2 829 raste me koronavirus, ja sa raste aktive ka në Tetovë


Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 13.914, numri i pacientëve të shëruar është 10.507, numri i vd ekjeve është 578, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 2.829. Në Shkup ende janë aktivë 884 raste, Kumanovë 361, Shtip 228, Tetovë 180, Kavadar 90, Gostivar 286, Shën Nikollë 71, Kërçovë 86 etj. Në Klinikën Infektive gjithsej janë hospitalizuar 83 pacientë nga të cilët në mbështetje oksigjeni janë 50 pacientë, nuk ka në ventilim mekanik.

Në spitalin në Kozle janë hospitalzuar 19 pacientë të rritur pozitiv me Kovid-19, gjashtë fëmijë pozitivë, një nënë dhe një fëmijë i dyshuar me virus. Në SPQ “8 Shtatori” gjithsej janë hospitalizuar 48 pacientë nga të cilët në makinë respiratore janë pesë pacientë. Në spitalin e Manastirit janë hospitalizuar 14, ndërsa në spitalin e Shtipit janë hospitalizuar 46 pacientë. Në repartet e sëmundjeve infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë janë hospitalizuar 105, pozitivë dhe të dyshuar me Kovid-19.

Ulet numri i rasteve aktive në komunat e Shkupit: Çair 117, Gazi Babë 112, Aerodrom 104, Karposh 91, Qendër 91, Kisela Vodë 98, Gjorçe Petrov 58, Butel 68, Shuto Orizarë 37 etj. Ministria e Shëndetësisë informon se në shtatë ditët e fundit është ulur numri i të infektuarve të rinj dhe përqindja e rasteve pozitive me Kovid-19.

Nga data 17 e deri më 23 gusht janë bërë 11.129 testime të virusit SARS-CoV-2. Janë regjistruar gjithsej 839 raste të reja pozitive prej 29 qyteteve në shtet dhe ulje prej 7,0 për qind, në krahasim me javën e kaluar. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n=281; 33,5 për qind). Në këtë periudhë, numri i rasteve të reja të konfirmuara është nën 20 persona, në 16 qytete në vend.

“Përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit arrin 7,5 për qind, që paraqet ulje prej 0,3 për qind në krahasim me javën paraprake. Ky tregues edhe më tej në javët e kaluara kur i njëjti lëviz prej 10 për qind, 9.4 për qind, 8.6 për qind dhe 7.8 për qind”, kumtoi dje Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raportit të ISHP, janë paraqitur 19 raste të vd ekjeve prej gjashtë qyteteve apo dy më shumë në krahasim me javën paraprake dhe të gjithë janë të moshës mbi 60 vjet. Prej tyre, 16 janë hospitalizuar, ndërsa tre persona kanë vd ekur në kushte jashtë spitalit. Komorbiditete janë regjistruar te 16 persona të vd ekur. Lidhur me vitin shkollor në kushte të Kovid-19, Qeveria dje vendosi që në vend të 1 shtatorit të fillojë më 1 tetor të vitit 2020.

Qeveria në seancën e djeshme i miratoi Protokollet për veprim të shkollave fillore dhe të mesme për realizimin e procesit edukativo arsimor me prani fizike të nxënësve në vitin shkollor 2020/2021. Protokolli për shkollat ​​fillore dhe të mesme përcakton që mësimi duhet të zhvillohet në përputhje me masat e mbrojtjes, gjegjësisht mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës dhe higjienë të duarve.

Dje në Qeveri u mbajtën takime të ndara të përfaqësuesve të prindërve të cilët janë për mësim onlajn dhe përfaqësues të prindërve të cilët angazhohen për prani fizike. Në takimet përfaqësuesit e dy grupeve të prindërve patën rast t’i dëgjojnë qëndrimet dhe argumentet e tyre, si dhe të njoftohen në mënyrë të detajuar me vendimin e Qeverisë për modelin sipas të cilit do të organizohet dhe zbatohet mësimi në arsimin fillor dhe të mesëm në kushte të Kovid-19, i cili është sjell në bazë të analizave dhe rekomandimeve profesionale të Komisionit për sëmundje infektive”, informojnë nga Qeveria.

Nga Qeveria potencojnë se ky model i kombinuar, është theksuar në takim dhe është pranuar si model i cili në masë më të madhe I zvogëlon rreziqet për shëndetin e pjesëmarrësve dhe mësimdhënësve dhe njëkohësisht siguron zbatim të programeve edukative-mësimore. Qeveria dje vendosi të ketë PCR test të detyrueshëm për udhëtarët nga Kosova të cilët kalojnë nëpër vend.

Të gjithë udhëtarët, qytetarë të Kosovës që kalojnë nëpër vendin tonë, duhet të paraqesin një test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë. Përveç kësaj, Qeveria dje vendosi të mbetet ndalesa për organizimin e dasma, solemnitetet e maturës dhe të tjera në objektet hotelierike me qëllim që të pengohet përhapja e Kovid-19.