Aksioni për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, 342 aparate të konfiskuara deri tani

Më 6 janar 2022, Policia e Kosovës nisi aksionin për sekuestrimin e aparateve që prodhojnë kriptovaluta, duke e çuar kështu në 342 numrin e aparatave të konfiskuara për dy ditë. Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave. 67 aparate u sekuestruan në një banesë në rrugën “Fan Noli” në Mitrovicë të Jugut ndërkaq, 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave u sekuestruan në fshatin Surkish të Komunës së Podujevës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Teksa sot, janë konfiskuar edhe 272 të tjera në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit. Poashtu, edhe është arrestuar një person. Më 4 janar, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet që përdoren për të prodhuar ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.
Kosova po përballet me krizë energjetike për shkak të rritjes së çmimeve të importit të rrymës, gjë që ka bërë që autoritetet të shpallin masa emergjente.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.
Qeveria e Kosovës tha më 6 janar se do të identifikojë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

“Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprenë këtë aktivitet. Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës”, tha Qeveria.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem. Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.
Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës. Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Autoritetet nuk kanë njoftuar se sa është numri i saktë i personave që prodhojnë kriptovaluta, por në fund të vitit 2021, kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, tha se në Kosovë llogaritet të jenë rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë që merren me prodhimin e kriptovalutave.

Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike. Kompjuterët lidhen me energji elektrike dhe të njëjtit shpenzojnë energji elektrike dhe kryejnë procedurën e njohur si “miniera” (mining).

Sipas njohësve të kësaj industrie, një pajisje me pesë kartela grafike shpenzon rreth 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.
Ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.