Aksioni në Tetovë dhe Ohër: Arrestohen 13 persona, bastisje në 17 lokacione, kapen sasi parash, stoli ari dhe 35-vajza të cilat ushtronin prostitucion


Sektori për luftën kundër krimit të organizuar dhe të rëndë pranë MPB-së, së bashku me hetuesit nga Qendra Hetimore e PTHP, nën udhëheqjen e një Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë realizuar një aksion të koordinuar në kuadër të të cilit është zbuluar plotësisht një grup kriminal në pjesën perëndimore të vendit. Në aksion janë arrestuar 13 persona, ndërsa një person është i pakapshëm për organet e ndjekjes. Janë kryer bastisje në 17 lokacione në rajonin e Tetovës dhe Ohrit.

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar automjete, një sasi e madhe parash dhe ari, pajisje marrëse, një thikë, një pistoletë me gaz, 3 laptopë, radio lidhje, libra për regjistrimin e mysafirëve dhe dokumentacion kontabël. Në objektet e shërbimit janë gjetur 35 vajza me prejardhje nga Ukraina, Rusia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Moldavia, Shqipëria dhe Kolumbia.

Grupi, për një periudhë të caktuar kohore, merrej me ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit dhe tregtinë e paligjshme të drogës, dhe të ardhurat e fituara në mënyrë ilegale nga këto vepra penale i mbulonte duke i pastruar paratë dhe fitimet e tjera të përfituara nga veprat penale. Grupin e organizuar e kishte krijuar një 35-vjeçar nga fshati Bogovinë, i cili organizonte dhe koordinonte aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit dhe në objektet e shërbimit në fshatrat Zherovjan, Sedllarcë e Epërme dhe në Ohër, ai drejtonte prostitucionin e vajzave të huaja që punonin si balerina në klubet e striptizmit.