Aksion policor në Kosovë – Arrestohen 11 persona

Njëmbëdhjetë të dyshuar janë arrestuar në disa qytete të Kosovës, gjatë aksionit të Policisë të organizuar të mërkurën me dyshimin për keqpërdorime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, dhënia të ryshfetit, mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suhareka dhe Ferizaj.

“Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtarë, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh, të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve. Pas intervistimit të të dyshuarve, më aktvendim nga prokurori, të njëmbëdhjetë të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka arrestuar deri tani dhjetëra zyrtarë dhe përfitues të subvencioneve, nën dyshimin për mashtrim, që kur ka nisur aksionet e para vitin e kaluar.