Aksion i madh policor, kryhen bastisje në disa kompani në Strumicë, Gostivar dhe Shkup të cilat dyshohen për pastrim të parave dhe kthim të paligjshëm të TVSH-së

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, janë duke u zhvilluar aktivitete të përbashkëta të disa institucioneve, përfshirë policinë dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike, të cilat po kryejnë bastisje në disa lokacione në firma dhe shtëpi në Strumicë, Shkup dhe Gostivar. Ajo që dihet deri më tani është se po konfiskohet një dokumentacion i madh, por edhe sende të tjera të gjetura gjatë bastisjeve.

Dhjetëra menaxherë, avokatë dhe noterë janë thirrur për biseda policore, pasi dyshohet se janë të lidhur me funksionimin e kompanive në Strumicë dhe Shkup, që mendohet të operojnë brenda një sistemi kriminal piramidal që ndoshta shtrihet edhe jashtë kufijve të shtetit. Sipas informacioneve të paverifikuara, kjo aksion i institucioneve shtetërore ka për qëllim të dëshmojë përfshirjen në disa vepra penale, si shmangia e tatimeve, pastrimi i parave dhe kthimi i paligjshëm i TVSH-së, duke dëmtuar buxhetin e qytetarëve me disa dhjetëra milionë euro.

Po ashtu, dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë individë të afërt me strukturat më të larta të pushtetit të mëparshëm, ndërsa nën rrethim policor është edhe një restorant i njohur në Strumicë.