Aksidenti tragjik në Rramanli, shqyrtohet kurimi jashtë shtetit për tre të mbijetuarit

Ndërroi jetë edhe personi i shtatë nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi 12 ditë më parë në Rramanli të Kumanovës. 55 vjeçari E.A. nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të djegies, thonë mjekët. Ai sikurse edhe tre viktimat e tjerë në Klinikën Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, humbën jetën nga djegiet e rënda, rreth 80% të trupit.

“Në ditën e njëjtë më 23 Shkurt kur u sollën në ora 12 të gjitha katër viktimat, dy gratë i shtruan në repartin urgjent Karil, kurse dy burra u shtruan në repartin e kirurgjisë plastike. Që nga ajo ditë i ndjeri 55 vjeçar ishte në gjendje kome dhe në aparate të frymëmarrjes artificiale. Me stimulime dopamine, pacienti ishte deri sot në gjendje të qëndrueshme derisa funksionet vitale për jetë i pushuan në orën 6:30 të mëngjesit”-tha Smilja Tudzarova – mjeke nga Kirurgjia Plastike Q.K.U. – Shkup.

Nga tragjedia e Rramanlisë, janë duke u mjekuar edhe tre persona në Klinikën Universitare për sëmundje kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Mjekët informuan se në gjendje më serioze në rrezik për jetën është 31 vjeçarja. Gruas shtatzënë 28 vjeçe i është përmirësuar dukshëm gjendja dhe është transferuar në repart të rregullt. Djali 10 vjeç me shkallë të lartë të djegieve – relativisht stabil. Drejtori i klinikës tha se në trajtimin sekondar të mbijetuarit do të kenë vështirësi nga infeksionet nga që djegia e lëkurës është në shkallë të lartë. Familjarët preferojnë si opsion klinikat në Turqi.

“Bëhet fjalë për situatë që këta pacientë marrin të gjitha tretmanët e nevojshme në klinikën tonë. Sa i përket asaj që a duhet të transferohen diku jashtë shtetit, të them sinqerisht për trajtimin primar këtu i kanë të gjitha kushtet. Por, pastaj nëse fatmirësisht mbijetojnë gruaja 28 vjeçe dhe djali 10 vjeç ka mundësi tu rekomandohet një transferim në ndonjë klinikë të specializuar jashtë shtetit”-pohoi Luben Arsenov, ud.Drejtor i K.U.S.K. “Shën Naumi Ohrit” – Shkup.

Në vendin e fatkeqësisë që ndodhi të dielën e 23 shkurtit jetën e humbën tre fëmijë të moshës 8, 9 dhe 11 vjeç. Kryefamiljari i ndjerë SH.A. 58 vjeç pati ndërruar jetë 12 orë më pas. Disa ditë më pas, vdiqën edhe dy gratë, të cilat pësuan djegie të shkallës së tretë nga shpërthimi i bombolës së gazit në shtëpinë e tyre.