Aksidenti tragjik: Kryeministri Kurti udhëton drejt Kroacisë, do të vizitojë të lënduarit në spital

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë drejt Kroacisë pas aksidentit tragjik të autrobusit me mërgimtarët, ku humbën jetën nëntë prej tyre së bashku me njërin prej shoferëve.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka konfirmuar se do të takohet me kryeministrin kosovar në Slavonski Brod, aty ku humbën jetën dhjetë persona ndërsa dhjetëra janë lënduar.

I pari i qeverisë sonë dhe homologu kroat do të takohen rreth orës 18:00 të ditës së sotme, raporton index.hr.
Dy liderët më pas do të vizitojë spitalin ku janë akomoduar pasagjerët e plagosur dhe pritet të mbajnë konferencë për shtyp.

Ndërkohë, Kurti më parë ka konfirmuar se drejt shtetit kroat ka udhëtuar edhe ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndryshe, tashmë shoferi i mbijetuar ka pranuar para një zëvendësprokurori se para aksidentit tragjik në një moment e kishte zënë gjumi.