Aksidenti në Lepenc, arrestohet shoferi nga Shkupi

64 vjeçari nga Shkupi është arrestuar nga policia pas aksidentit të të shtunës kur një automjet me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, rrugës për në Bllacë.

I arrestuari dyshohet si pjesëmarrës në aksidentin mes veturës me targa të Kosovës dhe automjetit të drejtuar prej tij me targa të Shkupit.

Ai do të mbahet derisa të përfundojnë hetimet për të zbardhur arsyet e plota të aksidentit, ndërkohë që në terren vazhdon operacioni i kërkimit për tre anëtarët e familjes Pacolli, që ende rezultojnë të zhdukur në ujërat e lumit.

“Me datë 17.06.2023 rreth orës 15:20 është raportuar se në rrugën Shkup – VK Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku, me të cilin janë përfshirë automjeti i pasagjerëve ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në mjetin tip BMW, sipas kallëzimit, përveç drejtuesit të mjetit ndodheshin edhe tre pasagjerë M.P (48), Sh.P (21) dhe një i mitur 16-vjeçar. Pas aksidentit pasagjeri Sh.P është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ku mjeku i ka konstatuar lëndime trupore, ndërsa tre personat e tjerë janë në kërkim nga ekipet e Departamentit të Operacioneve Speciale të Policisë. Prokurori publik dhe ekipi nga SPB Shkup kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik drejtuesi i mjetit ‘Volkswagen Touran’ B.B hiqet liria dhe ndalohet për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.