Aksident në Zvicër, humb jetën një shqiptare nga Tetova, nënë e tre fëmijëve

Një nënë 42-vjeçe e tre fëmijëve ka humbur jetën në një aksident që ka ndodhur të dielën pranë Lenzburgut, Kantoni Aargau. Albinfo.ch shkruan se shkaktar i përplasjes ishte një shofer gjerman i makinës Tesla, i cili papritur ka provuar të kthente makinën e tij mbi korsinë normale.

Duke bërë këtë manovrim, ai është përplasur me një makinë Vë Polo që po vinte nga i njëjti drejtim. Në veturë ndodhej një nënë 42-vjeçe, me vajzën e saj 19 dhe djalin e vogël, 6-vjeç. Dy fëmijët i kanë mbijetuar aksidentit, por nëna e tyre ka vdekur, pak pasi është dërguar në spital. Po ashtu ka shpëtuar edhe shoferi gjerman, shkaktar i aksidentit.

Aksidenti ka tronditur rëndë fëmijët e viktimës. Djali i madh i saj, Eron Abduli, 23-vjeçar, thotë për televizionin se gjithçka është më pikëlluese pasi vëllai i tij i vogël, 6-vjeç, tani duhet të rritet pa nënën e tij. Eroni nuk mund të dijë saktësisht se çfarë ka ndodhur në sekondat e aksidentit, përcjell albinfo.ch. Në timon ishte motra e tij. Ai dyshon se nëna e tij donte ende të mbronte fëmijët e saj dhe në këtë përpjekje ka humbur jetën.

23-vjeçari supozon të ketë ndodhur kështu për faktin se motra dhe vëllai i tij i vogël kanë shpëtuar me gërvishtje dhe mavijosje të vogla.

“Ndoshta ky reagim është një lloj instinkti i nënës”,- thotë ai.