Aksident i çuditshëm në Bosnje, Audi përfundon në banjon e shtëpisë (FOTO)

Një aksident i pazakontë trafiku ka ndodhur në Shiroki Brijeg të Bosnje dhe Hercegovinës, kur drejtuesi i veturës ka goditur shtëpinë e familjes, ka thyer murin dhe ka përfunduar brenda objektit. Siç merr vesh jozyrtarisht Jabuka.tv, shoferi nga Posusje, mëngjesin e sotëm rreth orës 5, ka goditur me Audi shtëpinë e familjes në rrugën Kardinala Alojzija Stepinca.

Nga forca e goditjes mjeti ka rrëzuar një pjesë të murit të jashtëm dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ambientet e brendshme të shtëpisë. Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka mbetur i lënduar asnjë nga personat që udhëtonin, ndërsa shoferi dhe shoqëruesi i tij kanë kaluar pa lëndime të mëdha.
Në vendin e aksidentit kanë dalë zyrtarë policorë nga Shiroki Brijeg dhe kanë kryer hetime, pas së cilës do të dihen më shumë detaje rreth aksidentit dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur.