Akil Gjakova fiton duelin e parë në Paris

Xhudisti Akil Gjakova ka fituar duelin e parë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Një ditë më parë, Distria Krasniqi, xhudistja kosovare që ka mbërritur lartësinë olimpike, pas medaljes së artë në Tokio të Japonisë në vitin 2021, ka fituar të dielën medaljen e argjend në Lojërat Olimpike në Paris të Francës.

Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, ajo u mposht nga xhudistja uzbeke, Diyora Keldiyorova, për herë të dytë. Megjithatë, pavarësisht humbjes, xhudistja kosovare ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në Paris.

Në xhiron e parë ajo kaloi pa luftë, duke qenë numri dy në botë në xhudo. Në të dytën, ajo mposhti Maryam March Maharani nga Indonezia, kurse në çerekfinale mposhti Gefen Primo nga Izraeli. Në gjysmëfinale ajo mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida, kampione botërore në fuqi.

Pas ndeshjes, xhudistja pejane deklaroi se është shumë e lumtur që fitoi medalje olimpike, duke u shprehur se nuk ka fort rëndësi ngjyra e medaljes sepse tashmë i ka dy. “Medaljen ia dedikoj trajnerit [Driton Kuka], klubit, familjes dhe normalisht, të gjithë Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kjo është medalja e dytë olimpike për Krasniqin. Në Lojërat Olimpike që u mbajtën në kryeqytetin japonez para tre vjetësh, ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë. Pra tani i ka dy medalje olimpike.

E argjenda e Krasniqit është medalja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe medalja e katërt olimpike në përgjithësi. Kosova ka fituar tri medalje të arta olimpike dhe të gjitha në sportin e xhudos.