Akademiku Zeqiri rekomandon se si duhet të përdoret buxheti në këtë kohë pandemie

Akademiku dhe profesori universitar për çështje Ekonomike, Izet Zeqiri shpjegon se si duhet të planifikohet buxheti në kohë pandemie, pasi që rrezikohet shëndeti dhe ekonomia e vendit.

“Me paratë prej 13.1% e mjeteve buxhetore të planifikuara konform buxhetit të projektuar në 3.9 miliardë euro, për tërë shëndetësinë nuk përballohet kjo pandemi. Është urgjente paratë të drejtohen drejt krizës, shëndetit të qytetarëve dhe mirëqenies së qytetarëve, drejt kapaciteteve spitalore publike dhe në paisje spitalore. Qeveria nuk duhet të shkurtoj pagat e administratorëve, por ajo duhet të shkurtoj një pjesë të pozicioneve të mallrave dhe sherbimeve në buxhet që janë 821,5 milion euro, të zvogëloj shpenzimet e udhëtimeve dhe mëditjet, mirëmbatjet e ndryshme dhe një pjese të shërbimeve të kontraktuara, që janë 606 milion euro në kuadër të mallrave dhe shërbimeve. Qeveria duhet të heq dorë nga investimet jo prioritare kapitale të cilat nuk janë prioritet në këtë kohë të pandemisë, kur është rezikuar shëndeti i qytetarëve. Prandaj paratë për investimet kapitale dhe objekte të tjera infrastrukturore që janë planifikuar 380 milionë euro, duhet të ridestinohen dhe të orientohen në menaxhimin e krizës dhe përkrarjen e bizneseve që kërkojnë masa për kufizimin e ndikimit ekonomik të pandemisë.”, ka shkruar Zeqiri.