Akademik Mehmeti: Zoti na ruajt, nëse shpërthen penda e Liqenit të Mavrovës nga tërmeti


Me shkas, tërmeti i ditës së sotme me epiqendër në Liqenin e Mavrovës
DOBIA EKONOMIKE NUK E ARSYETON RREZIKUN PËR JETËN E BANORËVE DHE VENDBANIMET NË LUGINËN E POLLOGUT
(Për rrezikun, Zoti na ruajt, nëse shpërthen penda e Liqenit të Mavrovës nga tërmeti apo ndonjë katastrofë tjetër, krejt fusha e Pollogut vërshohet me ujë, me mbi 5 metra lartësi mbi tokë.)

Tërmeti që goditi në mëngjesin e ditës së sotme në Maqedoninë Veriore, në orën 4.54 minuta, ka qenë me epiqendër në katundin Leunovë, në brigjet e Liqenit të Mavrovës, që është ndjerë në gjithë territorin e vendit dhe në shtetet fqinje, që thuhet se ka qenë 5 gradë sipas shkallë së Riterit. Sipas të dhënave të rikonfirmuara nga Agjencia shtetërore amerikane për hulumtime gjeologjike, epiqendra ka qenë 8 km në jugperëndim të Vrutokut në Gostivar, më saktë në Liqenin e Mavrovës.

Liqeni i Mavrovës është akumulim artificial i vendosur në luginën e Mavrovës, midis malit Bistra, Sharr dhe Vllahincë. Liqeni i Mavrovës ndodhet në një lartësi prej 1.233 metra mbi nivelin e detit, ndërsa ka gjatësi 10 km dhe gjerësi 3-5 km. Liqeni i Mavrovës mbulon një sipërfaqe prej 13,7 km katrorë, ndërsa pika më e thellë është në portën e tij, prej 48-50 metra.
Liqeni i Mavrovës është ndërtua për shfrytëzimi e ujërave të lumit Radika dhe lumit të Mavrovës, me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike. Liqeni i Mavrovës e ka mbushur me ujë fushën e dikurshme të Mavrovës. Sot ka katër fshatra në brigjet e tij, edhe atë: Mavrovë, Hanet e Mavrovës, Nikiforovë dhe Leunovë.

Për furnizimin me ujë të këtij akumulacioni janë sjellë edhe ujërat e shumë burimeve nga Mali Sharr, përmes një kanali të hapur me dhjetëra kilometra të gjatë, me çka është dëmtuar seriozisht jeta e banorëve vendës të dhjetëra katundeve malorë të Sharrit, me çka është çrregulluar biodiversiteti dhe ndryshuar ndjeshëm klima e fushës pjellore të Pollogut.

Një hidrocentral është ndërtuan në fshatrat Raven & Vërben, në vitin 1959, në veri të liqenit, në lumin Radika dhe një tjetër në Vrutok është ndërtuar në vitin 1957. Ky hidrocentral prodhon 390 milion kWh në vit. Nga tërmeti i ditës së sotme, duhet të marrim mësim të gjithë, sidomos organet e pushtetit, që të ndërmerren masa plotësuese për sigurimin e pendës së Liqenit të Mavrovës, meqë ajo paraqet rrezik të jashtëzakonshëm për vendbanimet dhe banorët e Luginës së Pollogut. Tërmetet dhe fatkeqësi të tjera natyrore, por edhe faktorë të tjerë jonatyrorë, gjithmonë duhet të konsiderohen për pika të ndjeshme për sigurinë e banorëve të një shteti.

Në Luginën e Pollogut shtrihen dy qytete, Tetova dhe Gostivari, me dhjetëra katunde, ku jetojnë mbi 400 mijë banorë. Një shpërthim i mundshëm i pendës së Liqenit të Mavrovës, sipas sasisë së ujit të akumuluar, tërë fusha e Pollogur dhe vendbanimet e tij mund të përmbyten me sasi ujit që do ta mbulonte tërë hapësirën e tij, në një nivel mbi 5 m lartësi. Dëmet që mund t’i shkaktonte në tërë rrjedhën e lumit Vardar, nga Shkupi deri në Selanik në derdhjen e tij në detin Egje do të ishin të pallogaritshme.

Kam pasur rastin, para disa vitesh, të bisedoj në lidhje me këtë çështje me njërin nga inxhinierët projektues kryesorë të pendës së liqenit artificial të Mavrovës dhe jam bindur se shqetësimi im ka qenë me bazë. Ish-regjimi socialist ka realizuar projekte të këtilla kapitale për nevoja të ngutshme, duke u dhënë prioritete interesave ekonomike të vendit, por nuk ka mundur të kryej analiza të hollësishme të fizibilitetit, siç e kërkojnë nevojat në rajonet me lëvizje të shpeshta tektonike, siç është masivi i Malit Sharr dhe vargmalet deri në brigjet e Adriatikut dhe Mesdheut. Përfundimisht, ky duhet të jetë shkas për ndërmarrjen e masave shtesë të sigurisë, nga penda e Liqenit të Mavrovës dhe planifikimi hapësinor në rajonin e Pollogut dhe në tërë rrjedhën e lumit Vardar.

Asnjë interes ekonomik nuk mund ta arsyetojë pasigurinë dhe rrezikun permanent të një rajoni, siç është rajoni i Pollogur dhe lugina e Vardarit, e cila e përshkon Maqedoninë përmes. Njerëzit dhe shtetet kanë interesat e tyre të përkohshme dhe nevojë për sigurimin e burimeve ekonomike dhe energjetike, por natyra ka ligjshmëritë e veta, të cilat gati asnjëherë nuk përputhen me këto interesa, duke i shfrytëzuar të mënyrë të egër dhe pa i planifikuar mirë resurset natyrore, sidomos pa i llogaritur rreziqet për sigurinë e jetës së qytetarëve.