Ajdari komenton avancimin e Fatime Fetait: Kompensim për rolin e saj te rasti “Monstra”

Bedri Ajdari nga Këshilli Organizativ për drejtësi në rastet e montuara ndaj shqiptarëve, vlerëson se avancimi i prokurores Fatime Fetai në Prokurorinë e Lartë nuk është diçka e papritur. Mirëpo ai është i bindur se ky avancim nuk është i merituar.
“Mendoj se është kompensim për rolin e saj te rasti Monstra, e jo avancim i merituar. Avancimi pas gjithë atyre gabimeve, shkeljeve procedurale dhe ligjore është i palogjikshëm. Për atë ka vepruar në atë mënyrë sepse tereni ka qenë i përgatitur”, thotë Ajdari në deklaratë për media.

Ai vlerëson se në këtë rast, ka pasur “koalicion” mes gjyqësorit dhe prokurorisë që të bëhet ajo çka u bë me rastin “Monstra” dhe se premtimi për avancim ka datuar që atëherë.
“Fillimisht procesi ka ecur mirë nga ana e prokurores, por dikur nuk i përfillke as procedurat elementare. Me siguri ka pasur premtime se e keni terenin e përgatitur dhe të mbuluar. Gjithçka është bë me amin e atyre që e kanë avancuar”, thekson Ajdari.

Ndryshe, pasi dështoi të zgjedhet si Prokurore në Prokurorinë Themelore për ndjekjen e kr*imit të organizuar dhe ko*rrupsionit, ish prokurorja e Prokurorisë Publike Speciale, Fatime Fetai u zgjodh si prokurore në Prokurorinë e Lartë.
Në pjesën e dytë të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Fetai arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur prokurore në Prokurorinë e Lartë në Shkup.