Ahmeti tregon çka u fol në tavolinë me Edi Ramën, a tha se do ta rrëzojë Kurtin në shtator?

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka treguar nëse Edi Rama ka thënë në samitin e Ohrit që do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti. Ahmeti ishte i pranishëm në këtë samit dhe thotë se assesi nuk është e vërtetë kjo.
“Jo asesi. Kjo ska qenë fare bisedë”, thotë ai në emisionin Pressing në T7.

Tutje ai tregon se me Ramën ka biseduar për atë se si t’u bëhet e ditur autoriteteve në Kosovë se për cfarë është nisur iniciativa e Ballkanit të Hapur. Ahmeti thotë se Kosova nuk humb asgjë nëse i bashkohet Ballkanit të Hapur dhe do të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera.

“Vec Edi Rama ka shprehur shqetësim para meje se si të afrohemi me autoritet në Kosovë që të shpjegojmë gjërat me mirë dhe të kthjellojmë gjërat ma mirë. Jo të imponueshme, por të sqarueshme. Iniciativa nuk është obliguese për palët. Mali i Zi dhe Bosnja ishin si vëzhguese. U nënshkruan marrëveshje me rëndësi. Ndërtimi i Urës së Bunës. Njohja e diplomave mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë. Nuk është punë e vogël. Sa telashe kemi me shqiptarët e Preshevës të cilët përfundojnë universitetin në Kosovë. Po cka humb Kosova nëse e merr pjesë në iniciativë me flamur të vetin. Merr pjesë si e barabartë. E barabartë në mesin e të barabartëve. I pranon marrëveshjet e leverdishme. Nuk i pranon ato që nuk i konvenojnë. Nuk kam dëgjuar asnjë argument të vlefshëm. Thonë se Serbia do ta dominojë tregun. Por në Serbi janë krejt investime të huaja vëlla. Investimet të huaja gjermane, franceze, turke e kështu me radhë”, shton ai. Ahmeti e ka quajtur Edi Ramën patriot të madh që punon për interes të shqiptarëve.

“Edi Rama nuk punon për interesa të Serbisë. Ai punon për interesa të Shqipërisë. Edhe kushtetuta e obligon të punojë për shqiptarët. Ai është patriot i madh. Integrimi i Kosovës është në të mirë të Shqipërisë. Cdo përparim i Kosovës është në të mirë të Shqipërisë. Nuk ka dyshim. Edhe ai që vjen pas do të punojë në interes të mirë të Kosovës dhe shqiptarëve”, përfundon ai. /Gazeta Express/