Ahmeti takoi eurodeputetët, biseduan për situatën në vend dhe rajon


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në një takim deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian, të cilët po qëndrojnë në vend, me të cilët ka bashkëbiseduar për zhvillimet e fundit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë pas takimit, Ahmeti tha se eurodeputetët kanë shprehur dëshirat e tyre që vendi të hapërojë suksesshëm në këto momente historike, me një referendum të suksesshëm, i cili do ti hapë vendit perspektivat euroatlantike, gjegjësisht anëtarësim në BE dhe në NATO, me çka vendi do të hapë perspektiva të reja.

“Të instalohet paqja, demokracia, marrëdhëniet e mira, si ato ndëretnike poashtu edhe ato ndërfqinjësore, për çka mbetet që nga Parlamenti Evropian por edhe nga institucionet tjera të Bashkimi Evropian (BE) të presim përkrahje të plotë për angazhimet tona”, tha Ahmeti për të shtuar se në takimin në fjalë ka bërë shpjegim për rrjedhat në vend dhe ka shkëmbyer mendime edhe për situatat në rajon.

Ahmeti komentoi edhe nismën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e referendumit të 30 shtatorit, me ç’rast tha se aktualiteti politik në Maqedoni nuk toleron futjen e vendit në rreziqe të tilla, duke hedhur poshtë idenë për një vlerësim të tillë, pasi vendimi është marrë nga organi më i lartë legjislativ.