Ahmeti sot pritet të dëshmojë në Prokurorinë e Shkupit

Ali Ahmeti sot do të duhet të paraqitet në Prokurori që të merret në pyetje lidhur me rastin “Regjistrimi”. Kryetari i BDI-së do të duhet të tregojë çfarë di dhe si u ndal procesi i numërimit të popullsisë në vitin 2011. Regjistrimi u organizua gjatë qeverisë së udhëhequr nga VMRO – DPMNE dhe BDI dhe vetëm pesë ditë para përfundimit të tij ai u ndërpre pas dorëheqjes së të gjithë anëtarëve të Komisionit të Regjistrimit pasi vlerësuan se për shkak të mangësive në procedurë do të fitohen të dhëna irelevante.

Hetimi për këtë rast u hap nga Prokuroria Speciale tashmë e shuar dhe përveç Ahmetit për dështimin e qëllimshëm të regjistrimit e akuzoi edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Më 21 mars të vitit 2018 PSP-ja njoftoi se kishin hapur hetim i cili për herë të parë përfshinte zyrtarë të lartë të BDI-së edhe atë liderin kësaj partie.
PSP 21 mars 2018

“Megjithëse kanë qenë të vetëdijshëm se do të ketë pasoja të dëmshme këta persona filluan zbatimin e regjistrimit. Kur panë se nuk kanë kapacitet për të fshehur faktet demografike në lidhje me vendin, ata, në mënyrë që të shmangnin përgjegjësinë ranë dakord të paraqisnin se arsyet për ndalimin e regjistrimit janë të një natyre teknike.” Informacionet fillestare të PSP-së asokohe ishin se me ndërprerjen e operacionit të regjistrimit, dëmi në buxhet i bërë nga Gruevski dhe Ahmeti ishte 2.8 milion euro.

Tani pas më shumë se dy vite pas hapjes së hetimit Ahmeti do të japë deklaratë në prokurori në lidhje me këtë rast por Gruevski është i pakapshëm sepse është arratisur. Megjithatë Ahmeti ka një situatë jashtëzakonisht lehtësuese sepse me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Prokurorinë bisedat e përgjuara nuk do të jenë dëshmi – element kyç mbi të cilin mund të hapet rasti “Regjistrimi” bazuar në bisedat e përgjuara mes Gruevskit dhe Ahmetit.

Ndërsa prokuroria zbardh se kush janë fajtorët e dyshuar për regjistrimin e dështuar në vitin 2011 Qeveria e udhëhequr nga Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti njoftoi se ekziston marrëveshje koalicioni për të organizuar regjistrim të ri të popullsisë në prill të vitit të ardhshëm.