Ahmeti: Realizuam edhe një ëndërr me kryeministrin shqiptar

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një fjalimi në rrjetet sociale ka folur për realizimin e premtimit të tij për kryeministrin e parë shqiptar.

“Katër vite më parë, nga ky vend, ju drejtova juve me fjalët: Çdo gjë e ka një fillim. Çdo gjë fillon me një ëndërr. Ju thash që të gjithë ne i kemi ëndrrat tona, për fëmijët tanë, për vetën tonë, për vendin. Besoj ju kujtohet kur theksova që, ne, shqiptarët, kemi ëndërruar për liri, për barazi.

Më pyetën, a vërtetë besoni që do të bëhet, thash jo vetëm që besoj, por edhe do të bëhet.

Ashtu besoja edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Besoja që do të bëhemi pjesë e NATOsë dhe që do të hapim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj edhe që shpejtë do të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, sepse Shtetet e Bashkuara të Europës është ideali im dhe për këtë punoj çdo ditë.

E nesër vëllezër e motra, nesër është ditë historike. Nesër, e diel, më 28 janar të motit 2024, zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së veriut”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet.

“Por, këtu nuk është fundi, ky është vetëm fillimi, kemi edhe shumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar. Sot kemi nevojë të bashkohemi, t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit, të lëmë anash gjërat që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth gjërave që na afrojnë.

Këto procese janë më të mëdha se secili prej nesh, por është në duart tona që të ndërtojmë ura dhe ta shtrojmë rrugën për realizimin e ëndrrave. Kryeministrin e parë shqiptar e bëmë bashkë, ta bëjmë edhe Maqedoninë Europiane bashkë, duke besuar se ëndrrat realizohen po që se besoni dhe punoni”, deklaroi Ahmeti.