Ahmeti porosi Zaevit e Mickoskit: Mësoni nga Goce Dellçevi që me plis fliste para shqiptarëve

Nga tubimi paragjedhor i mbajtur në Urën e Gurit në Shkup, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, u dërgoi mesazh dy krerëve të partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaevit të LSDM-së dhe Hristijan Micskoskit të VMRO-DPMNE-së.

Ideja të cilën Zaevi e dha ditë më parë në debat televiziv me Mickoskin, për shkëmbim të deputetëve që të mos kushtëzohen nga BDI për Kryeministrin Shqiptar, Ahmeti e quajti përpjekje për hegjemonizëm, për të krijuar unitet mes vete që kryeministri i ardhshëm të mos jetë shqiptar.

U bëri thirrje që të marrin mësim nga paraardhësit patriotë, për të cilët Ahmeti tha se kanë bashkëpunuar për të mirën e përbashkët. Këtu kreu integrist përmendi Goce Dellçevin, duke treguar se me të kanë bashkëpunuar edhe patriotët shqiptarë, që së bashku popujve të tyre t’ua heqin hallet.

“Prandaj porosia ime do të ishte për politikanët e rinj të këtij vendi, ashtu siç i pash në debate, që po bëjnë përpjekje për hegjemonizëm, për një unitet të çeliktë mes tyre, vetëm e vetëm që kryeministri të mos jetë shqiptar. Nëse kanë sado pak respekt për atdhetarin e tyre Goce Dellçevin, le të kthehen dhe le ta shohin se me plis të bardhë Goce Dellçevi ka mbajtur fjalime përpara shqiptarëve. Kjo kanidaturë duhej t’i gëzonte, nëse janë pasadhës të Goce Dellçevit, që i bashkonte njerëzit, e nuk i ndante. I lus që të jenë më të përmbajtur sepse kryeminsitri shqiptar do ta forcojë jo vetëm stabilitetin, sgurinë dhe paqen, por edhe ekonominë e vendit. Do t’i afrojë komunitetet”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së i ftoi bashkëqytetarët dhe kolegët e tij politikanë që të mos frikësohen nga kryeministri shqiptar. Ahmeti tha se e pranon që bashkërisht me partitë maqedonase kanë arritur shumë gjëra, siç është kryeparlamentari, për të cilin tha se nuk mund të zgjidhej në mënyrë të njëanshme, ose arritje siç është Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës, por kjo s’do me thënë që shqiptarët me kaq të mjaftohen.

“Kërkesat tona dhe mundësitë nuk mund të përkufizohen deri në këto që janë bërë derë më sot. Është shumë e natyrdhem dhe legjitime që ne të ngjitemi edhe majave të shtetit për të drejtuar. Sot kryeministrin, nesër kryetarin e shtetit, sepse është vendi ynë, është shteti ynë dhe aksush këtë të drejtë nuk mund të na e mohojë” u shpreh Ahmeti.