Ahmeti porosi Mickoskit: Kur nuk respektohet Marrëveshja e Ohrit kthehemi në kohëra të tjera që bashkërisht i kemi braktisur


Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në emër të Frontit Evropian sot akuzoi ashpër subjektet politike shqiptare të cilat pritet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, se kanë shkelur legjitimitetin e votës së lirë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Për Frontin Evropian sipas Ahmetit është e papranueshme që pjesë e qeverisë të bëhet koalicioni që ka fituar numër më të vogël të mandateve. Ahmeti ftoi qytetarët që t’i bashkëngjiten Frontit Evropian në betejën për respektimin e legjitimitetit të votës së lirë, shkruan Alsat.

“Marrëveshja e Ohrit nuk lexohet njësoj nga të gjithë personal politik, apo publik, Ne nuk lejojmë që kjo marrëveshje as të cenohet e as të shkelet. Njerëzit na pyesin se pse ne votojmë kur dikush tjetër vendos mbi vullnetin tonë dhe përcaktimet tona…qytetarët na pyesin se çfarë kuptimi ka demokracia kur nuk respektohet legjitimiteti, kur vendos partia më e madhe maqedonase. Kjo na kthen prapa dy dekada kur nuk respektohej vullneti i lirë i komuniteteve. Legjitimiteti është shtylla e demokracisë, andaj ne po nisim betejën e respektimit të MO-së. Kur respektohet fryma e MO-së shoqëria prosperon, por kur nuk respektohet kthehemi në kohëra të tjera që bashkërisht i kemi braktisur”, tha Ahmeti duke mos dashur të shpalos hapat e ardhshëm të Frontit Evropian, por u shpreh shkurt se opinioni do të njoftohet me kohë për hapat e ardhshëm.