Nuk mendohet dhe nuk ka arsye për shumicë të re parlamentare. Kështu i vlerëson paralajmërimet për shumicë të re kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas Ahmetit, shumica parlamentare po funksionin pa asnjë vështirësi. Shumica parlamentare funksionin në kuadër të normalitetit. Nuk ka aspak përplasje apo dallime mes partnerëve të koalicionit. Sigurisht që ka dallime për tema të caktuara, por e mira është se për të gjitha çështjet arrihet konsensus në mes të palëve.
Nuk ka asnjë vështirësi në funksionim të këtij partneriteti dhe koalicioni dhe aspak nuk mendohet dhe nuk ka arsye për shumicë të re parlamentare -deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. Ahmeti ndanë qëndrimin e njëjtë me partnerin e koalicionit Zoran Zaev mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai shton se për një gjë të tillë nuk ka bazë pasi vendi nuk ndodhet në krizë politike dhe as institucionet nuk janë në ngërç nga i cili nuk mund të dalin. Lidhur me thirrjet për konsensus mbi shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, Ahmeti shton se procesi duhet zhvilluar në datat e parapara me ligj.
Deri tani regjistrimi nuk ka ndryshim dhe në prill do të fillojë. Është një ndërmarrje statistikore që duhet bërë sepse kërkohet edhe nga organizatat ndërkombëtare si BE dhe EUROSTAT për të pasur statistika të sakta si institucione në Bruksel – tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Kundër shtyrjes së regjistrimi janë edhe partitë politike shqiptare, ndërsa anulimin e tij e kërkon VMRO-DPMNE-ja. Presidenti Stevo Pendarovski kërkon konsensus gjithë partiak për datat e regjistrimit. Kryeministri Zaev ditë më parë deklaroi se debati mbi shtyrjen e regjistrimit ka mbaruar dhe i njëjti do të mbahet në prill.