Ahmeti: “Nuk ka asgjë nga ajo që flitet se do të krijohet një parti e re”

Ka marrëdhënie ndërpersonale që nuk janë të mira, por jo në përgjithësi, por njerëz të caktuar. Këto gjëra duhet të rregullohen, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit të sotëm me anëtarët e degëve të partisë nga Çairi dhe nga Saraj, të cilët ditë më parë me një letër akuzuan se organet statutore partiake nuk kanë ekzistuar dhe nuk janë formuar në parti prej gati dy vitesh dhe se vendimmarrja politike është bërë individuale.

“Kam 20 vjet që merrem me këto përllogaritje. Pushteti ekzekutiv ka probleme të tjera, organet dhe komunat kanë probleme të tjera dhe natyrshëm lindin kontradikta mes këtyre institucioneve, gjë që është e natyrshme.

Kemi biseduar me pushtetin ekzekutiv, me krerët e degëve për të zgjidhur ato paqartësi, keqkuptime. Përndryshe, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Përndryshe nuk ka asgjë nga ajo që flitet se do të krijohet një parti e re”, tha Ahmeti. Sipas tij, takimet janë konstruktive dhe duhet të ketë debat. Takimi i sotëm me degën e Sarajit dhe Çairit ka shkuar mirë dhe ka treguar se asgjë nuk është e pariparueshme.