Ahmeti nga Sllupçani: UÇK, pjesë e pandashme e historisë së Maqedonisë


Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga Sllupçani, me rastin e hapjes së kullës përkujtimore për nder të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare tha se ky monument i bashkon popujt në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti theksoi se UÇK është pjesë e pandashme e historisë së Maqedonisë së Veriut, me anë të së cilës u arrit Marrëveshja e Ohrit e cila më pas dërgoi deri tek Marrëveshja e Prespës, me çka u sigurua anëtarësimi i vendit në NATO.

“Ky monument nuk na ndanë, ky monument na bashkon. Ushtria Çlirimtare Kombëtare është pjesë e historisë së pandarë të këtij vendi.

Nuk mund të ketë histori ky vend pa UÇK, nuk mund të ketë ardhmëri ky vend pa të arriturën më të madhe, Marrëveshjen Paqësore të Ohrit si rezultat i kësaj Ushtrie, ardhmëria e këtij vendi është Marrëveshja e Prespës, marrëveshje e cila na anëtarësoi në NATO”, deklaro mes tjerash Ahmeti.