Ahmeti negocion me ASh, Mexhiti e quan koalicion interesi


Derisa kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka realizuar takim dhe po bën përpjekje që opozitarja ASh të futet në koalicionin qeverisës, nënkryetari i integristëve Izet Mexhiti nuk e sheh të nevojshme këtë lëvizje. Mexhiti hyrjen e mundshme të ASh-së në qeveri e cilëson si koalicion të interesave, por jo edhe të integrimeve. Ai numëroi edhe arsyet se pse partia e Taravarit nuk duhet të bëhet pjesë e shumicës.

“Prej dimensionit tonë mendoj që është një Qeveri stabile e cila në fillim ka pasur 62, tash ka 64 deputetë, duke pasur parasysh që deputetët shqiptar pa marrë parasysh nëse janë në pozitë apo opozitë sa i përket çështjeve strategjike, integrimeve, nuk kanë dallime kur votojnë për çështje strategjike, për perspektivat e qytetarëve në Maqedoni, po ashtu numri nuk i afrohet 81 për ndryshime kushtetuese, kështu që nuk duket iniciativë e shëndoshë që do i ndihmonte proceset, më tepër shihet…nëse ndodhë, mund të jetë koalicion i interesave por jo i integrimeve, të presim ditëve në vijim, ta shohim vlerësimet që do të jenë, në bazë të asaj edhe ne do të japim opinionin tone.”- deklaroi Izet Mexhiti – nënkryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër Ahmeti thotë se nëse ka epilog pozitiv, kjo do ta ndihmonte shumicën parlamentare po njëherë do të ishte e dobishme edhe për palët që do të angazhoheshin në këtë shumicë parlamentare. Kreu i integristëve nuk ka pasur ndonjë takim tjetër me përfaqësues të ASh-së, dhe deklaron se nuk është biseduar për ndarje të përgjegjësive në ekzekutiv.

“Momentin që do të kemi më shumë informacione atëherë do ta ndajmë me opinionin, tash për tash ka pasur vetëm takime të fillimit pa ndonjë epilog, presim në të ardhmen takime të radhës.

Cilat janë kërkesat e ASh?
Nuk është biseduar për kërkesa konkrete.”- tha Ali Ahmeti – Kryetar I BDI-së. Përndryshe të arsyeshme hyrjen e Aleancës në qeveri nuk e sheh as partia tjetër në pushtet, Alternativa. Sekretari i kësaj partie, Zeqirja Ibrahimi dje për TV21 tha se kjo i konvenon vetëm BDI-së që të shpëtojë nga presioni i grupit ta zjarrit./ Tv21