Ahmeti: Me votën tonë e kemi shansin historik t’i themi jo Rusisë, po Evropës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, pasi ka votuar për zgjedhjet presidenciale, ka thënë se ka thënë se “me votën tonë e kemi shansin historik të vulosim njëherë e përgjithmonë orientimin tonë euro-amerikan, t’i themi jo Rusisë, po Evropës”.

“Sot në Zajazin tim shfrytëzova të drejtën demokratike të votës për të lënë gjurmë kontributi në trasimin e së ardhmes evropiane. Uroj proces të mbarë zgjedhor, në frymë plotësisht demokratike dhe evropiane. Andaj, ju ftoj të gjithëve që të votoni për fitoren e madhe të kauzës sonë evropiane”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Në garën presidenciale, përveç presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili u propozua nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane” që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), janë edhe dy shqiptarë.

Nga koalicioni “Fronti Evropian” nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon Bujar Osmani, ministri aktual i Punëve të Jashtme të RMV-së.

E koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN” në përbërje prej Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, udhëhiqet nga Arben Taravari, kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fakt shkaktoi një valë të polemikave dhe përplasjeve ndër-shqiptare në Prishtinë e Shkup.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët më të votuar, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave.

E rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare.