Ahmeti: Kreshniku ka menaxhuar me krizën energjetike, është më i suksesshmi në rajon

Kjo nuk është fushatë elektorale, por takime tradicionale që BDI të komunikojë me qytetarët dhe të dëgjojë mendimet dhe vlerësimet e tyre”, kështu e filloi fjalën e tij në Shipkovicë të Tetovës Ali Ahmeti në suaza të takimeve që po i zhvillon me qytetarë dhe bazën partiake me moton “Bashkë për Europë”.

“Çka kemi bërë e çka mund të bëjmë edhe më mirë! Sot nuk e di pse nuk e kemi mbajtur këtë takim te salla e sportit, sepse tash e keni sallën e sportit. Ne nuk jemi pak, jemi shumë, prandaj na duhej sonte salla. Folën përpara meje funksionarë të BDI-së. Dëgjova se janë bërë shumë punë të mira, mirëpo e mira nuk ka fund, Korridori 8 uroj të nisë sa më shpejtë, sepse është vepër kapitale, pas gjuhës, flamurit e universiteteve. Shpallëm malin Sharr park kombëtar, sepse pasurinë tonë natyrore mund të shfrytëzojmë si pikë turistike. Për simbole e universitete folëm, dhe unë them të na rrojnë, por tani është koha të kërkojmë cilësi, të renditen në lista në pozita më të larta për nga cilësia. Më nuk na i kanë fajet Jovani e as Stojani, por të shohim veten se çfarë jemi duke punuar! Covid-i na shkëputi nga komunikimi tradicional i yni sepse ashtu ishin rrethanat. Pastaj, ndodhi lufta Rusi-Ukrainë që akoma mbetet zonë e nxehtë. Kam takuar një delegacion nga Ukraina dhe u kam thënë se kjo luftë do fitohet nga ju, mirëpo forcohuni dhe mos u dorëzoni, sepse ashtu fituam ne, sepse nuk u dorëzuam kurrë!”, tha Ali Ahmeti lider i BDI-së.

Tani, shtoi më tej ai në fjalën e tij, mision e kemi Bashkimin Europian, sepse vetëm ashtu ngritet standardi jetësor dhe sigurojmë paga më të larta për qytetarët tanë, jetë më stabile dhe me standard europian.

“Vetëm kështu ndalet migrimi! Ka skeptikë ashtu siç ka pasur gjithmonë edhe për anëtarësim në NATO, edhe për ministra, drejtorë e kryetar kuvendi shqiptarë, por janë punë që janë kryer më sukses. Më këto arritje kemi dëshmuar se ky shtet është edhe i yni dhe ne kemi ekipe të përgatitura që kemi investuar. Këto ekipe na kanë nxjerrë gjithmonë faqebardhë, jo vetëm përpara vendasve tanë por edhe përpara ndërkombëtarëve. Unë jam ndër nismëtarët për shkërmoqjen e ish-Jugosllavisë, ndaj ky pluralizëm politik na bën me dije të shohim se sa kemi arritur ne ndër vite. Unë gjithmonë jam pro reformave, por gjithmonë me parimin që shqiptarët të jenë zot në vendin e vet dhe të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze. Jam maltretuar nga kreu i UDB-ës në Kërçovë vetëm pse kërkova me shokët e mi universitet në gjuhën shqipe në Shkup, por tash kohërat ndryshuan dhe ato kërkesa i kemi të realizuara. BDI është shtëpia e ushtarëve sepse 10.000 ushtarë nënshkruan për formimin e kësaj shtëpie me emrin BDI. Kuadrot tona kanë punuar fuqishëm drejt fitoreve, me platforma që janë realizuar”, theksoi Ahmeti.

Unë, u shpreh lideri integrist, gjithmonë do të përkrah rininë, sepse kanë kualitet, janë breza të shkolluar që edhe të huajt i kërkojnë. “Ministrat tanë janë më të suksesshmit që kanë menaxhuar krizën aktuale, sidomos atë energjetike, por urojmë te kemi një epilog të luftës Rusi-Ukrainë, të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sepse në hasmëri shekullore nuk jetohet. Hasmi ose vritet ose falet, por neve në rajon na duhet pajtimi”, u shpreh në fjalën e tij Ahmeti.