Ahmeti: Fronti Europian nis betejën për legjitimitet, nuk mund të poshtërohet vullneti i shqiptarëve dhe komuniteteve!

Lideri i Frontit Europian, Ali Ahmeti në press konferencë tha se nuk do të lejohet asesi të shkilet mbi legjitimitetin e popullit.
Ahmeti shtoi se Fronti Europian ka triumfuar në 20 komuna, me një diferencë me mbi 30 mijë vota përballë opozitës shqiptare.

Deklarata e plotë:

“Ne, bashkë-drejtuesit e Frontit Europian konstatojmë që bashkimi jonë është reflektim i frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe paraqet unifikim për të avansuar barazinë midis komuniteteve dhe kohezionin shoqëror. Iniciativa jonë për Frontin Europian është mirëpritur dhe mbështetur nga qytetarët e vendit. Fronti Europian ngadhnjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40.000 vota, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31.000 vota dhe 6 deputetë më tepër. Fronti Europian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë. Fronti Europian doli ngadhnjyes në 20 komuna ku jetojnë dhe votojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera. ndërsa opozita në 8. Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit. Këto rezultate u cënuan dhe vazhdojnë të cënohen nëpërmjet një inzhinjeringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar. Gjithashtu, Fronti Europian dhe opozita shqiptare, në muajt dhjetor 2023 dhe janar 2024, bashkarisht dakorduan dhe firmosen deklaratë për mos-hyrje në partneritet qeveritar pa ndryshimet kushtetuese dhe garantimin e rrugëtimit europian. Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa patur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë. Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera? Pse këto komunitete duhet të organizohen në parti politike dhe te marrim pjesë në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombasve të tyre nëse, pa marrë parasysh vullnetin e komuniteteve tona, për ata vendos sipas preferencave dhe para-pëlqimeve partia më e madhe maqedonase? Kjo mendësi, ky veprim vazali, na kthen në kohën para më shumë se dy dekadave kur komunitetet diskriminoheshin, trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë dhe nuk respektoheshte vullneti i votës së lirë të komuniteteve, por të tjerë vendosnin për ne. Të dashur miq, legjitimiteti është shtylla e stabilitetit, sigurisë, mirëqenjes, barazisë. Prandaj, ne, bashkë, po nisim betejën e respektimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që bazohet në legjitimitetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve. Kur respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, shoqëria përparon dhe të gjithë bashkë barabarësisht jemi qytetarë të barabartë. Kur nuk respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, kthehemi në sisteme dhe kohëra tjera që bashkarisht i kemi braktisur. Prandaj, mos respektimi i legjitimitetit, është poshtërësim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Këtë poshtërësim, për fat të keq, po e mundësojnë edhe ca që firmosën deklaratë të përbashkët me ne, që deklaruan publikisht disa herë që nëse humbasin me një votë e me një deputet më pak, do të tërhiqen, por për ambicie të vogla personale, ose arsye tjera të panjohura për opinionin e gjërë dhe me urrejtje të madhe ndaj nesh, u nënshtruan dhe mundësuan etablimin e hegjemonisë etnike. Ne po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë dhe ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë për të ardhme europiane. Vota juaj nuk guxon të shkojë huç dhe ne jemi këtu bashkë që ti prijmë fitores tuaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj fitimtarë. Ne vlerësuam, që këto çështje janë tejkaluar dhe jemi zhvilluar si shoqëri me respekt të ndërsjellë mbi vullnetin e njëri tjetrit për të mirën e shoqërisë së përbashkët. I takon gjeneratës tonë, që bashkë të mos lejojmë zhbërje të arriturave dhe të pamundëspjmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit.