Ahmeti: Do të varet nga vullneti i dy palëve që të kemi epilog pozitiv në interes të shtetit


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sot pas takimit me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev në Kuvend tha se kanë biseduar rreth platformave që t’i përafrojnë qëndrimet, duke shtuar se do të varet nga vullneti i dy palëve që të arrihet epilog pozitiv në interes të shtetit.

“Unë nuk dua t’i ngarkojë bisedimet dhe nuk dua që ta them fjalën e fundit. Ne investojmë në çështjen e shqiptarëve, jemi në drejtim të mirë dhe jemi të gatshëm këtë ta bëjmë për shtetin pasi përfitim do të ketë stabiliteti i shtetit, afrimi i komuniteteve, duam dhe jemi të gatshëm këtë ta bëjmë për shtetin”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se e ka informuar veçmë kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se partia e tij ka filluar negociata me LSDM-në si fituesi me fituesin.
“Unë e informova Mickoskin se kanë filluar bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së që ata të mos krijojnë mendim të rrejshëm, por ta dinë se ne bëjmë përpjekje që të arrijmë marrëveshje”, ka thënë Ahmeti.