Një jetë e një diell, një ajër e një ujë, një tokë e një planet i ndajmë bashkërisht. Të kujdesemi për to pa dallime etnike, pa dallime fetare, pa dallime partiake, kulturore, arsimore, sociale e te çfarëdo qoftë lloji tjetër. Kështu është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti gjatë shpalosjes së platformës së re të partisë që ai udhëheq para opinionit.
Kryetari Ahmeti gjithashtu ka njoftuar se nga sot përveç se në nivelin qendror, agjenda e gjelbër do të jetë kryefjalë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale edhe atë me kontributin e njohësve më të mirë të fushës.
“Apeloj deri tek shoqëria civile dhe grupet e interesit që t’i bashkëngjiten agjendës tonë të gjelbër me idetë dhe përvojat e tyre të cilat do të përqafohen nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim. E gjithë kjo për arsye se edhe ne, edhe pasardhësit tanë, kemi vetëm një jetë, ta jetojmë dhe t’ua lëmë fëmijëve tanë në trashëgimi këtë planet me mundësi të pafund për zhvillim të mëtejmë sepse ne, nuk kemi të drejtë t’ua shkatërrojmë të ardhmen brezave pas nesh,” ka deklaruar Ahmeti.
B DI është e parti politike e zhvillimit dhe e vendeve të punës edhe atë tashmë përmes agjendës së gjelbër, BDI përveç se për barazinë, zhvillimin dhe frymën euroatlantike, kujdeset edhe për ajrin, për ujin, për tokën, për mjedisin e përbashkët si një nga parakushtet për zhvillim dhe jetë cilësore. Kështu u shpreh kryetari i Bashkimit Demokratik Ali Ahmeti gjatë fjalimit të tij me rastin e 19 vjetorit të themelimit të partisë që ai udhëheq.
“Ju që jeni këtu, anëtarët tanë, votuesit tanë, por jo vetëm, gati se edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë e njohin konsistencën tonë, qëndrueshmërinë e politikave tona dhe që të gjithë e dinë që atë që e themi edhe e realizojmë. Për 19 vite jemi shtyllë e stabilitetit, paqes, sigurisë, barazisë dhe vazhdimësisë dhe realizimit të ëndrrës euroatlantike. Nuk u lëkundëm nga qëllimet tona asnjëherë dhe për asnjë çmim”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu me këtë rast ka thënë se sot e tutje do të bëhemi edhe shtyllë e jetës së përbashkët dhe cilësore, ashtu siç i vëmë drynin Jugohromit si ndotës më i madh i Pollogut, apo siç e shndërruam Malin Sharr në park kombëtar.