Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Reçicë të Vogël.
Para gazetarëve për këtë mbledhje ka folur lideri Ali Ahmeti, ku ka thënë se qëllimi i saj ka qene që opinioni ta shohë drejtëpërsëdrejti që Bashkini Demokratik për Integrim është dhe do të jetë më unik, dhe më mire i organizuar.
“Janë biseduar të gjitha çështjet, opinioni është i interesuar, edhe pse ka pasur disa informacione nga më të ndryshmet, në mungesë të takimeve në mungesë të sqarimeve që të gjitha gjërat janë sqaruar dhe i siguroj të gjithë votuesit e BDI-së, të gjithë shqiptarët, edhe ata që s’e kanë votuar Bashkimin Demokratik për Integrim sepse BDI është forcë mirë e organizuar mbartë përgjegjësi për 20 vite me radhë në këtë shtet për procese të rëndësishme. Është aktor në gjithë këto zhvillime, në gjithë këto ngjarje dhe kemi obligim moral e kombëtar që ta sigurojë votuesin tanë që tësigurojë antarësinë e BDI-së, që vërtet jemi unik, u tejkaluan dallimet, nuk ka mbetur asgjë pa u sqaruar deri në atomin e fundit. Sepse para nesh ka tanimë detyra të rëndësishme. Vijnë zgjedhjet lokale, është regjistrimi i popullit, për të cilin duam të jemi pjesë e kontributit sepse regjistrimin e bëjnë organet kompetente të shtetit” ka deklaruar Ahmeti.
I pyetur se çfarë u kërkua nga grupi që ka mendime ndryshe, Ahmeti tha se nuk ka pasur pika që nuk takoheshin dhe se ka mundur të ketë hatërmbetje apo mosinformim të duhur.
“Të gjitha gjërat janë parimisht të sqaruara dhe e gjithë puna është në binar të duhur për të marrë mbi shpatulla përgjegjësi të reja për të çuar punët përpara. Dhashtë Zoti që të kemi vaksinat, që të mund të funskionojmë normalisht edhe si parti politike edhe si institucione shtetërore por edhe si qytetarë“, ka thënë më tej Ahmeti./TetovaSot