Drejtori i Fondit Shëndetësor Faton Ahmeti ka reaguar pas anashkalimit të ndarjes së mirënjohjes për mjekët shqiptar nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut!
Ahmeti shkruan:
“Agimi punon në fushë, Milloradi punon në zyrë!” Ishin këto fjalët në librat e leximit të filloristëve shqiptarë në Jugosllavinë e Titos.
Por edhe sot kur “Agimi” dhe “Milloradi”, krahë për krahë, bëjnë punë profesionale/intelektuale, në sytë e disave nuk meritojnë trajtim të njejtë!
Ndoshta është e dhimbshme për një pjesë të bashkëqytetarëve tonë maqedonas, mirëpo duhet ta pranojnë realitetin e ri që “Agimi” i pas vitit 2001 nuk është vetëm: pastrues rojtar, punëtor krahu; por, “Agimi” i pas vitit 2001 është edhe: mjek profesor drejtor e shumëçka që para 2001 ishte e pa imagjinueshme!
Lufta e vitit 2001 e ndryshoi realitetin politik të Maqedonisë në mënyrë rrënjësore. Ndërsa “luftën për barazi” në çdo sferë të jetës duhet ta bëjmë gjithsecili nga ne, në atë fushë ku veprojmë.
“Agimi” edhe më tej do të jetë prezent në çdo institucion, duke punuar me nder dhe me profesionalizëm.