Aleksandar Dugin, i cili është kreu i politikës ruse, ka themeluar një parti në Maqedoni, ku kanë edhe media dhe televizione, akuzoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, Rusisë i përshtatet që të ketë vatra ushtarake kudo për të zgjeruar pushtimin.
“Varet se si i shohim gjërat. Kur Rusia kërcënon paqen botërore duke përdorur armë bërthamore, kërcënon një vend si Ukraina, nuk ka mundësi të rrimë qetë. Në vendin tonë ka parti që janë themeluar nga Aleksandër Dugin, i cili është kreu i politikës ruse dhe ju e dini mirë këtë. Ka media, ka televizione. Kush nuk e pëlqen paqen në Ballkan? Rusisë i duhen vatra ushtarake kudo për të zgjeruar pushtimin e saj”, tha Ahmeti.
Kjo deklaratë e Ahmetit vjen një ditë pas njoftimit të partisë në të cilën thonë se opozita në Maqedoni ka një skenar rus që synon trazira politike pas 8 majit.