Ahengjet shkaktar të rritjes së rasteve me Covid-19! Cana: Vaksinimi po bëhet si marketing parazgjedhor

Lirimi i masave, ardhja e mërgimtarëve, mosrespektimi i masave në dasma e ahengje ka bërë që të rritet numri i të infektuarve me Kovid-19, vlerësojnë autoritetet shëndetësore të vendit. Që mos të kemi mbingarkesë të spitaleve, infektologu Fadil Cana thotë se ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe duhet të parandalojë përkeqësimin e situatës.

“Duhet që paraprakisht të parandalojmë këtë situatë. Prandaj mendoj që i pari i shëndetësisë me stafin e tij menaxhues duhet t’i qaset dhe t’i rreket më serioz kësaj pune të parandalimit se sa të vijmë në situatë që të mbingarkohet sistemi shëndetësor dhe të mos kemi edhe vende të lira nëpër spitale”, deklaroi infektologu Fadil Cana.
Drejtori i Instituti për Shëndet Publik, Shaban Memeti mendon se nuk ka nevojë për masa të reja restriktive por se qytetarët duhet vetëm t’i respektojnë rekomandimet e dhëna nga autoritetet shëndetësore.

“Kemi rritje të grumbullimit të qytetarëve nëpër vendet e caktuara për motive që mund të jenë dasma, manifestime të ndryshme, por kjo si rezultat i mosrespektimit të normave bazë nga mbrojta e Kovidit. Kemi po ashtu edhe frekuentim të objekteve të ndryshme hotelerike dhe kafeneve, por kjo është edhe rezultat i ardhjes së numrit të madh të njerëzve që jetojnë jashtë shtetit që vine për vizitë të familjarëve të vet”, potencoi Shaban Memeti – Drejtor i Institutit për Shëndet Publik.

Memeti thotë që vaksinimi është e vetmja zgjidhje për të mundur virusin korona. Të njëjtën gjë vazhdimisht e pohon edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke shtuar ndër të tjera se qytetarët duhet të vaksinohen sepse nuk mund të jetohet vazhdimisht nën masa restriktive. Ndërsa infektologu Cana thotë së autoritetet shëndetësore vaksinimin e përdorin si marketing parazgjedhor.

“Nuk i vaksinojnë ato kategori të cilat me të vërtetë kanë nevojë. Këtu bëjnë pjesë ato kategori të cilët nuk e kanë kaluar. Ata duhet të kenë prioritet në procesin e vaksinimit. Kjo që ndodh te ne më shumë duket si një marketing parazgjedhor se sa një realitet se si duhet të menaxhohet procesi i vaksinimit”, tha infektologu Fadil Cana.
Vetëm sot janë regjistruar 21 raste të reja, ndërsa në të gjithë vendin ka 265 raste aktive. Në krahasim para 10 ditësh, numri i rasteve aktive është rritur për 100. Shkupi dhe Tetova vazhdojnë të jenë qytetet me më shumë raste aktive.