Ahengjet dhe koncertet rrisin numrin e rasteve me virus

Një çift i ri nga Austria i cili vendosi të bënte dasmë në Ohër, përfundoi në repartin infektiv të spitalit modular. Epidemiologët kanë frikë se mund të çojë në më shumë infeksione të reja. Në Ohër, koncertet dhe ahengjet kanë rritur në mënyrë drastike numrin e të infektuarve. Epidemiologët thonë se një pjesë e mirë e rasteve të sapo raportuara në nivel të shtetit janë infektuar në Ohër. Pesë pacientë u shtruan në spitalin infektiv, dy prej të cilëve janë të vaksinuar me dy doza. Më i riu është 27 vjeç.

“Nga ata pesë pacientë, tre janë nga jashtë dhe nga atje kanë ardhur pozitiv. Askush në vendin tonë nuk i ka kontrolluar gjatë hyrjes. Njëri është nga Belgjika, dy bashkëshortët janë nga Austria. Pacientët nuk janë të vaksinuar, gjë që është për të ardhur keq. Ata nuk e dinë nëse kanë pasur kontakt, por kanë shfaqur simptoma ende pa u nisur nga vendet e tyre. Gjatë kontrolleve, pas dëshmive të pacientëve, ata thonë se kanë qenë në disa tubime, ditëlindje, dasma, pagëzime”- deklaroi Mirjana Spasova, kryeinfermiere e departamentit infektiv në Ohër.

“Pres që kjo të ketë një trend rritës. Në Ohër në këtë periudhë nuk e di se çfarë nuk ndodhi. Një numër i madh i koncerteve, mosrespektimi i masave, mosrespektimi i asnjë protokolli, ahengje në ambient të mbyllur”- pohoi Goran Balev, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Ohrit.
Edhe në Strugë pasqyra nuk është më e mirë. Spitali modular po mbushet çdo ditë. 15 pacientë aktualisht janë të shtruar në spital.

Sipas epidemiologëve, disa nga mërgimtarët që ishin në Strugë gjatë kësaj periudhe, gjatë testimit treguan se ishin asimptomatikë me covid 19. Në Ohër në ditë ka nga 40 kontrolle ambulatore për pacientët që kanë simptoma të virusit korona, ndërsa në Strugë midis 50 dhe 70.