“Agjërimi pa syfyr mund të jetë i dë*mshëm për imunitetin”

Agjërimi pa syfyr mund ta bëjë sistemin imunitar të prekshëm dhe të dobët, kurse për të qenë i fortë në sofrat e syfyrit dhe iftarit është e nevojshme të ketë perime dhe fruta të freskëta.
Gizem Gençyurek, nutricioniste në Spitalin Universitar Medipol Pendik në Stamboll, paralajmëroi për rëndësinë e mbajtjes së sistemit imunitar të fortë gjatë Ramazanit, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19. Ajo theksoi se në këtë drejtim, është shumë i rëndësishëm ushqimi i duhur për syfyr dhe iftar.

“Meqë jetojmë në pandemi, në këtë proces është bërë edhe më e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje ushqimit që do të konsumojmë për syfyr dhe iftar. Ndërkaq gjatë muajit të Ramazanit është e mundur të forcojmë sistemin imunitar me ushqimin e duhur”, theksoi Gençyurek.
Ajo gjithashtu theksoi nevojën e qartë për të konsumuar ushqime të tilla si kos dhe kefir, që janë probiotikë.

“Burime cilësore të proteinave si mishi, vezët dhe peshku duhet të përfshihen në ushqimin tonë. Ne patjetër duhet të shtojmë në sofrën e syfyrit dhe iftarit speca të kuq, majdanoz, limon dhe portokall, që janë burime të mira të vitaminës C”, shpjegoi Gençyurek.
Ajo paralajmëroi se agjërimi pa syfyr mund ta bëjë sistemin imunitar të prekshëm dhe të dobët.

“Për të mbajtur sistemin imunitar të fortë, patjetër duhet të përfshijmë perime dhe fruta të freskëta për iftar dhe syfyr. Konsumoni burime të shëndetshme të vajrave si ulliri, kokosi, ose lajthi, bajame dhe arra. Shmangni burimet e thjeshta të karbohidrateve si ushqime të paketuara, pasta, pije të gazuara dhe në vend të kësaj t’u kthehemi burimeve të karbohidrateve nga drithërat. Nga iftari në syfyr duhet të konsumojmë dy litra ujë dhe t’i kushtojmë vëmendje mënyrës së gjumit”, theksoi Gençyurek.