Agjentë të dyshuar për rastin “Lagja e Trimave” të Kumanovës janë të paprekshëm dhe se nuk janë marrë në pyetje dhe hetime për ngjarjen e 9 majit të 2015. Prokuroria Speciale me marrjen e këtij rasti në duart e saj, pritet që të nis hetimin edhe nga kjo pistë, pasi që emra agjentësh, zyrtarë policie, ish-funksionarë e politikanë janë përmendur nga grupi i dënuar i Kumanovës, informon INA.
Në seancat gjyqësore maratonike janë përmendur emra të zyrtarëve të policisë sekrete të Maqedonisë, por ata nuk u pranuan si dëshmitarë.
Avokatët mbrojtës konfirmojnë informacionet se në mesin e logjistikës për realizimin e skenarit Kumanova, ka qenë të përfshirë policë dhe agjentë.
Avokati Naser Raufi kishte theksuar për INA se hetimi nga Prokuroria Speciale dhe ai i paralajmëruar ndërkombëtarë duhet të përfshijë gjithë spektrin dhe mozaikun e të dyshuarëve dhe orkestruesve të këtij rasti.
Para se të ndodhte sulmi në Goshincë të Likovës e që javë më pas pasoi me përleshjen e armatosur në Kumanovë, ish gjenerali i policisë në vitin 2001, Stojançe Angellov kishte paralajmëruar një skenar. Angellov pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro, por pa potencuar emra nga kush dhe për kë.
“Dikush në shtetin tonë ka përgatitur një plan monstruoz për të nxitur përleshje ndëretnike në Maqedoni. Të gjithë e dini se para një muaji kishte kumtesë të UÇK-së të cilët përsëri u kërcënuan. Kam informacione se i janë dhënë 2 milion euro disa shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK -në, janë kriminel të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës – pati deklaruar ish gjenerali Stojançe Angellov në prill të 2015-tës.
Ekspertët për çështje sigurie thonë se duhet të vërtetohet përgjegjësia dhe involvimi i mundshëm i shërbimeve sekrete dhe instancave të tjera shtetërore që kanë kontroll zinxhiror në rastin e 9 majit të 2015, kur një grup i armatosur hyri në Lagjen e Trimave të Kumanovës dhe pas një përleshje armësh u vranë 8 pjesëtarë të policisë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur. Pjesa tjetër e grupit iu dorëzuan policisë, shumica të dënuar me burgim të përjetshëm. (INA)