Agim Ibraimi emërohet drejtor sportiv i KF Tirana

Tirana ka prezantuar Agim Ibraimin si drejtorin e ri sportiv. Ish-sulmuesi i njohur do të vazhdojë menjëherë punën siç tregojnë bardheblutë, teksa projekti mes palëve është afatgjatë.

Kujtojmë se Ibraimi ka dhënë kontribut në futbollin shqiptar, para se të mbyllte karrierën. Kështu mbajti veshur fanellën e Kukësit dhe Dinamos.

Kujtojmë se Tirana merr pjesë në turin e parë kualifikues të Conference League. Agim Ibraimi do të nisë me përforcimet që do ndihmojnë klubin fillimisht në Europë.

Njoftimi i Tiranës:

Klubi i Futbollit Tirana njofton se Agim Ibraimi është emëruar drejtor sportiv i klubit bardh’ e blu!

Drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshjen me Ibraimin duke nënshkruar kontratën e bashkëpunimit mes palëve për një projekt afatgjatë.

Eksperienca e jashtëzakonshme si futbollist në Slloveni, Itali, Shqipëri e më gjerë, ka bërë që klubi ta zgjedhë Ibraimin për t’i besuar këtë rol të rëndësishëm.

Ibraimi do të nisë menjëherë nga puna për formimin e Tironës Europiane dhe skuadrës së sezonit të ri.

Si futbollist, Agim Ibraimi ka lënë gjurmë me Mariborin në Slloveni, teksa ka luajtur me Kaljarin në Serinë A, Astanën në Kazakistan dhe njëkohësisht numëron 40 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, ku edhe i është dhënë çmimi i nderit si Ambasador i Sportit.

Të bindur se ky do të jetë hapi i parë i sigurtë drejt projektimit të një skuadre solide.

Tirana i uron mirëseardhje dhe njëkohësisht suksese drejtorit në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu.