Acari siberik gjatë gjysmës së muajit Shkurt tanimë është pothuajse 95 për qind i sigurte, megjithatë mbetet enigmatike nëse do të shoqërohet me reshje të mëdha bore ose reshje të pakta bore.
Për të pas reshje të mëdha bore nevojiten edhe ciklone të fuqishme në Mesdhe (Adriatik ose Jon) të cilat për momentin mungojnë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë. Acari kontinental nga Siberia shpeshherë është edhe i thatë pikërisht për arsye të mungesës së ciklonit në vendin e duhur.
Sidoqoftë dimri po vjen dhe me një stil të ashpër, acar të fortë dhe erëra të akullta veriore. Sa iu përket reshjeve të borës do të jemi më të “mençur” ditëve të ardhshme. Reshje bore gjithsesi do të ketë, por mbetet enigmatike intensiteti dhe kohëzgjatja e tyre.
Përgatituni për një goditje serioze dimërore (pas disa ditëve) për të cilën më në detale sa iu përket temperaturave dhe reshjeve të dëborës do të flasim gjatë ditëve në vijim.