Afrim Muqiqi “selam” Qeverisë: Vendet e rajonit po lejojnë organizimin e dasmave, t’i marrim shembull

Pandemia Covid-19 ka ndikuar negativisht në të gjithë botën, sidomos në ekonominë e vendeve të ndryshme, madje edhe atyre me ekonomi shumë të zhvilluar.

Edhe në Kosovë koronavirusi ka sjellë probleme të mëdha në ekonominë e vendit, e padyshim që i ka dëmtuar edhe këngëtarët e poashtu edhe gastronominë, hotelet e restoranet e ndryshme, e poashtu edhe sallat e dasmave, që zakonisht gjatë sezonit verorë janë tejet të frekuentuara, shkruan Indeksonline.

Indeksonline ka kontaktuar me këngëtarin Afrim Muqiqi, duke e pyetur rreth situatës së krijuar, se si ka ndikuar pandemia në organizimin e dasmave e ahengjeve, çfarë ka ndodhur me dasmat që janë planifikuar për vitin 2020 e shumë të tjera.

Afrim Muqiqi ka thënë se është e pakuptimtë që mos të mbahen dasmat, kur tanimë janë hapur restoranet, kafenetë dhe situata po shkon drejt normalizimit.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me gjithë dasmorët, janë të interesuar ti mbajnë dasmat, por ne po presim edhe për rekomandimet e IKSHPK-së, të shohim se çfarë po na rekomandojnë, por unë besoj se duhet ti marrim shembull edhe vendet e rajonit sepse Mali i Zi vetëm e ka shpallë të mbyllur pandeminë dhe po mbahen dasmat, ka dasma në Shqipëri, në Serbi, kështuqë besoj që do të mbahen”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka shtuar se nuk ka pasë asnjë problem as me parapagimet që janë bërë për dasma, pasi që janë në pritje të mbajtjes së tyre.