Shoqata e Gastronomëve të Kosovës do të mblidhet sot për t’i diskutuar masat e reja të cilat pritet të vendosen në Kosovë.
Afrim Muçiqi nga Oda e Hotelerisë në emisionin SOT në KTV ka thënë se duke pasur parasysh takimet në të gjitha qytetet e Kosovës me gastronom, do të arrijnë të jenë zë i fuqishëm.
Ai ka thënë se është përdorur standard i dyfishtë për ata kur janë marrë masat anti-Covid.
“Dihet që prej sallave të dasmave ne mbajmë familje, kurse partitë politike i shfrytëzuan ato për fushata, u rrit numri i të infektuarve kështu që duan tashmë ta mbyllin vendin. Jemi një zëri të bashkuar, ne jemi pro hapjes për të gjitha kategoritë. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq gjatë kësaj kohe, i kemi shkuar rrugës institucionale, nuk kemi dalë në rrugë të përballemi me dhunë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se kërkesë e qartë është hapja e plotë e gastronomisë. Muçiçi ka thënë se do të kenë takim me ministrin e ri të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Nëse do të marrin masa ne do t’i respektojmë por kjo vetëm nëse mbyllen të gjithë dhe jo vetëm ne. Në të gjitha qytetet nuk ka mbrëmje që nuk janë lokalet plotë. Sektori i sallave është në gjendje të tmerrshme, sot është dita e 400 që ata nuk punojnë”, ka thënë ai.
Visar Demolli, drejtor i Odës së Hotelerisë në Kosovë ka thënë se edhe vitin e kaluar kishin thënë që do mbyllet vendi për dy javë porse sipas tij, kjo zgjati me muaj.
Ai ka lënë fajtorë politikanët për rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.
Demolli tutje ka shtuar se kanë dorëzuar manual se si mund të punohet, duke shtuar se një gjë e tillë është e shumë e lehtë.
“Ose të ketë mbyllje për të gjithë ose le të hapemi të gjithë. Ne presim të kemi një takim me ministrin Vitia dhe aty të merremi vesh”, ka thënë ai.