Afrim Muçiqi e quan të dështuar vitin 2021 për estradën: Të diskriminuar dhe dëme të mëdha që nuk kompensohen për dhjetë vite

Sektori i gastronomisë edhe në vitin 2021 është një nga veprimtaritë që i ka ndjerë më së shumti efektet e pandemisë.

Për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit, në vitin e kaluar pati dilema të mëdha nëse do të lejohen dasmat e ahengjet, që natyrshëm do të kishte edhe një ndikim zinxhiror, e që njëkohësisht bënë që estrada të konsiderohen më të diskriminuarit krahas fushave të tjera.

Njëri ndër artistët më të zëshëm në këtë situatë epidemiologjike nuk ka dyshim se ishte Afrim Muçiqi, si përfaqësuesi i departamentit të estradës në Odën e Hotelerisë.

Në një intervistë për Telegrafin, Muçiqi tregon sfidat që estrada ka hasur gjatë gjithë kësaj kohe, për ndihmat që iu ofruan nga shteti e po ashtu edhe për padrejtësitë që iu bënë.

Në vitin 2021 keni qenë një prej artistëve më të komentuar në estradë, si e përkufizoni këtë vit?
“Viti më i keq për shkak të pandemisë është fjala për arsye se edhe ne si i gjithë globi jemi përballur, faktikisht është viti i dytë por me shpresën që vitin që po e fillojmë ishalla qoftë e kaluar siç thotë populli. Sa i përket asaj që kam qenë më i përfoluri është mëse e vërtetë pasi kam qenë më aktiv për arsye se prej natyrës kur unë marrë një obligim që ta përfaqësoj dikë atëherë nuk e marrë vetëm sa për sy e faqe, por mundohem që atë besim që ma kanë dhënë baza, shtatë regjione të Republikës së Kosovës duhet ta çoj deri në fund”.

Meqenëse edhe sivjet ishim të përfshirë në pandemi dhe në fillim të vitit edhe veprimtaria juaj ishte e kufizuar, si u pritën këto masa nga ana e juaj? A jeni ndjerë të diskriminuar?
“Jemi të diskriminuar dhe është përdorur siç e kam thënë gjatë gjithë kohës standarde të dyfishta sidomos ndaj nesh, për arsye se të gjitha sektorët tjerë kanë punuar, ndërsa i vetmi sektor që nuk ka punuar është sektori ynë, sektor i cili ka punuar në shtetet fqinje. Gabimi më i madh ka qenë që mos menaxhimi i mirë i pandemisë, i vendosjes së masave ka ndikuar që qytetarët tanë të shkojnë edhe në shtetet fqinje, si në shtetin tonë amë Shqipëri si në Maqedoni si në Mal të Zi, si në Preshevë do të thotë në Luginë atje ku janë shqiptarët. Mendoj që është një gabim i radhës për arsye se është dashur që ato mjete ato para të mbesin në Kosovë, pastaj të mendojmë edhe për fqinjët tanë”.